Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, i datës 28.03.2019, është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale
Prishtinë, 03.02.2020 – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, ua ka vërtetuar dënimet me burgim me kusht prej dy vjetësh të akuzuarve F.S. dhe M.S. Atyre gjithashtu, u është vërtetuar edhe dënimi plotësues i shqiptuar nga ana Gjykatës Themelore në Prishtinë, për konfiskimin e pasurisë/ sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale në shumën prej 946,820.84 eurove.
Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, i datës 28.03.2019, është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe atë veprimet e të pandehurve nga “Shpëlarja e parasë në bashkëkryerje” sipas nenit 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe nenit 32 par.2 nënpara.2.1 dhe 2.2 të Ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, janë ri-cilësuar në “Shpëlarja e parasë në bashkëkryerje” sipas nenit 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe nenit 56 par.1, pika 1.1 dhe 1.2 e Ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit. Gjithsesi ky ri-vlerësim juridik nuk ka ndikuar në dënimin e të akuzuarve. Në çështje tjera aktgjykimi i ankimuar ka mbetur i pa ndryshuar.