Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten.
Prishtinë, 11.09.2020 – Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur lidhur më ankesën në rastin e të akuzuarës M.H.-S.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje.
Gjykata themelore, e kishte shpallur fajtor të akuzuarën, rreth një vit më parë, për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437 par.2 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për këtë ajo ishte dënuar më 8 muaj burgim më kusht, në aftin e verifikimit prej 1viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 Eurove.
Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale. Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim.