Të dënuarit A.A. i aprovohet ankesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Të dënuarit A.A. i aprovohet ankesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

Prishtinë, 19.06.2020 – Gjykata e Apelit,  e ka aprovuar si të bazuar ankesën e të dënuarit A.A.  kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ED.nr.267/2020, të datës 15.06.2020.  Aktvendimi në fjalë është ndryshuar, të dënuarit i është lejuar shtyrja e ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 3 (tre) muajsh.

A. A. më aktgjykim të formës së prerë, është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë” nga neni 267 par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) muajve, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 12.09.2012 deri më datë 02.11.2012.

Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes  jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

Më këtë Gjykata konsideron se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit konform nenit 20 par.1 pika 1.1 të LESP-së, i cili nen përcakton se “ekzekutimi i dënimit me burgim mund të shtyhet me lutje të personit të dënuar, deri në shërimin e sëmundjes, nëse personi i dënuar vuan nga një sëmundje e rëndë akute”. Kjo edhe për faktin se siç është e ditur, Kosova tash e sa kohë po përballët me pandeminë Covid 19,  pandemi kjo e cila sipas eksperteve shëndetësor, në masë të madhe atakon ata që kanë sëmundje tjera përcjellëse. Prandaj Gjykata e Apelit, konsideron së dërgimi i tij, në vuajtje të dënimit, në këto kushte dhe rrethana, do të paraqiste rrezik për shëndetin e të dënuarit, si pasoj e pamundësisë për trajtimit adekuat shëndetësor dhe rrezikut për infektim nga personat e tjerë, më çka do të cenoheshin ndjeshëm të drejtat e tij, të proklamuara më ligj.