Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK

Gjykata e Apelit ka refuzuar  ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK

Prishtinë, 29 mars 2023, Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të Departamenti Special, është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.17/2020, i datës 07.11.2022, është vërtetuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.17/2020, të datës 07.11.2022, të akuzuarit B.B., M.K-L., N.R. dhe D.G., për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK, të akuzuarës F.H. për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 i KPRK dhe të akuzuarin A.GJ. për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 i KPRK-së, konform nenit 364 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK, i ka liruar nga akuza.

Gjykata e Apelit, me aktgjykimin APS.nr.7/23, të datës 27.03.2023, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar. Gjithashtu është vlerësuar se pretendimet e prokurorit janë të paqëndrueshme për faktin se organi akuzës nuk ka potencuar apo vërtetuar në mënyrë të duhur se cili akt ligjor apo nënligjor është shkelur, andaj, në këtë kontekst organi akuzës ka bërë referenca të gabuara ligjore për arsye se Ligjin për Rregullatorin e Energjisë Elektrike, respektivisht nenin 35 paragrafi 4 të Ligjit Nr.05/L-084, nuk ka qenë në fuqi në kohën për të cilën prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën/veprat penale pasi që Ligji në fjalë është ligj i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2016, dhe se në kohën për të cilën akti akuzues i ngarkon të akuzuarit (viti 2013), pra ky ligj nuk ka qenë në fuqi, në fakt as që ka qenë i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Tutje është thekusar se pretendimi i prokurorisë se vepra penale është kryer në mënyrë permanente dhe se ligjet, sikur ai që ka qenë në fuqi dhe ai i më vonshëm kanë përmbajtje të njëjtë, meqenëse kanë rregulluar çështjen e posedimit të licencave, një interpretim të tillë  kolegji i gjykatës së shkallës së dytë e konsideron si të pabazuar,  për faktin se të akuzuarit akuzohen për veprimet të ndërmarra më 8 maj 2013, pasi me këtë datë kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali “Lumbardhi”, hidrocentrali “Burim”, hidrocentrali “Radavci” dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak – Çalik”. Po ashtu është theksuar se lidhur me veprimet e të akuzuarve F.H dhe A. Gj aktakuza ka të bëjë me veprimet inkriminuese të cilat sipas akuzës kanë ndodhur me datë 8 maj 2013 dhe para kësaj date për dy të akuzuarit. Veprimet e të gjithë të akuzuarve janë të përcaktuara dhe kornizuara në dimensionin kohor, mbi bazën e këtyre fakteve ligji i cili duhet të zbatohet është ligji i cili ka qenë i aplikueshëm dhe jo ligji i mëvonshëm i cili tek në vitin 2016 është dekretuar dhe është bërë i zbatueshëm, rrjedhimisht, në një situatë të tillë nuk mund të i ’u atribuohet detyra dhe përgjegjësi të akuzuarve që burojnë nga një ligj i cili nuk ishte në fuqi.                                      

Gjithashtu kolegji i gjykatës së shkallës së dytë ka thekuar se gjykata e apelit ka vlerësuar se nga faktet dhe provat e çështjes është konstatuar se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë, në këtë aspekt faktet relevante nuk kanë mbetur të pavërtetuara sikurse pretendohet në ankesën e ushtruar. Mbi bazën e vërtetimit  të gjendjes faktike, gjykata e shkallës së parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të akuzuarit B.B., M.K-L., N.R. dhe D.G., e kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK, ndërsa e akuzuara F.H. dhe i akuzuari A.Gj. veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 2 KPRK, pasi që qartazi nga provat e administruara nuk kanë rezultuar si të provuara tiparet e veprës penale të cituar me lartëdhe as që kanë qenë të përshkruara veprimet inkriminuese në dispozitiv që do të përbënin figurën e veprës penale për të cilën është akuzuar.

https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_7_2023_SQ.pdf